Pandi Laço është autor këngësh shumë i njohur. Ka filluar karrierën televizive në Televizionin shqiptar (TVSH) më 1987 si redaktor letrar e skenarist në Redaksinë e Programeve Artistike. Nga viti 1987 deri 1996 ka punuar në një sërë programesh të suksesshme televizive si “Mbremje të muzikës popullore”, “12 vallzime pa një të shtunë”, “Rreth fatit për 12 javë”, “12 në Hollywood”, si skenarist i cikleve të spektakleve me regji nga Vera Grabocka. Gjithashtu skenarist edhe drejtues televiziv në programet televizive “Emocione” (Italia 90) dhe “Ciak” me regji nga Leonard Gjata. Për të parën herë në historinë e televizionit shqiptar ideon dhe realizon “Candid camera” në programet e sipërpërmendura. Skenarist në disa prej edicioneve të konkurseve të bukurisë elegancës duke filluar nga i pari, “Miss Albania 1991” si dhe Festivali i Këngës në RTSH.
Më 1997 me hapjen e Televizioneve Private në Shqipëri fillon të punojë në TV Klan si skenarist dhe Drejtor i Programacionit. Në vitin 1998 së bashku me regjisorin Bledar Laço (vëllai i tij) realizojnë transmetimin e parë direkt në TV Klan “Klubi i futbollit “Miqtë e Klanit” – një talk-show sportiv (Botërori France 98).
Nga 1997 deri tani Pandi Laço e Bledar Laço kanë realizuar një seri programesh televizive në TV Klan, duke filluar nga “Maratona e Këngës Popullore”(1999), “Porta e Fatit”(2000), “Netë vere”, “Gjeniu i vogël”(2005), “100 Këngët e shekullit” (2005) dhe “Këngët e shekullit” (edicioni i dytë - 2006), “C’est la vie”(2006) përsëri “Maratona e Këngës Popullore”(2008) dhe “Histori me zhurmues”.(PROMOTOR është kompania e produksionit artistik themeluar prej tyre së bashku me muzikantin Adrian Hila, nën logon e të cilës kanë realizuar artistikisht disa prej spektakleve të mësipërme).
Në dekadën e fundit është prezantuar në disa Festivale të këngës në RTSH edhe si autor vargjesh duke fituar në 4 edicione të tij Çmimin e parë, duke filluar në vitin 2002 me “Brenda vehtes më merr”(Muzika - Shpetim Saraci), 2004 me “Nesër shkoj”(Muzika – Adrian Hila, pjesëmarrëse në Eurosong 2005 - Ukrainë), 2006 me “Balada e gurit” (Muzika – Adrian Hila, pjesëmarrëse në Eurosong 2007 - Finlandë) dhe 2007 “Zemrën e lamë peng” (Muzika – Adrian Hila, pjesëmarrëse në Eurosong 2008 - Serbi).
Si gazetar i Televizionit Klan, ka ideuar dhe prezantuar emisionin televiziv "Histori me zhurmues", një format krejtësisht origjinal e ndër më të spikaturit për të cilin, ai është nderuar me cmimin special "Teodor Keko" nga Ministria e Kulturës, Turizmit, Rinisë e Sporteve për vitin 2010.
Gjithashtu në vitin 2010, në bashkëautorësi me Adrian Hilën e Bledar Laçon, realizojnë ciklin e rradhës "Këngët e Shekullit"(edicioni i trete), por këtë herë duke u përqëndruar në këngët popullore e qytetare shqiptare. 23 të shtuna rradhazi (deri në mars 2011), shënohet si një nga spektaklet më të suksesshëm muzikorë, dhe me një audiencë rekord, por duke qënë këtë herë dhe në rolin e prezantuesit.
Në mars 2011- treshja e producentëve artistikë Pandi-Adi-Bledi , vijojnë me autorësinë e rradhës "Gjeniu i vogël" - një talent-show që për të katërtën herë është pjesë e programacionit të Tv Klan. (2005 prezantuar nga Alketa Vejsiu, 2007 me pjesëmarrjen e Enkel Demit, 2010 e 2011 me drejtuese Suela Demiri). Konkursi i fëmijëve-talente, mbetet ndër spektaklet më të ndjekura televizive, prestigjin e të cilit e ka rritur dhe pjesëmarrja e të ftuarve specialë, mes të cilëve këngëtari italian Al Bano, në një mbrëmje ekskluzive tërësisht dedikuar repertorit të tij.
Ndërkaq, sezoni veror, për të gjashtin vit, sjell para publikut televiziv, "Maratonën e këngës popullore e qytetare".
Në shtator 2011, një tjetër spektakël televiziv sjell në ekran Laçon si autor e prezantues. "100 këngë nga bota" në një udhëtim ne partiturat e këngëve më të famshme të dhjetë vendeve e kulturave krejt të ndryshme muzikore nga Rusia në Amerikën Latine, nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Greqi, me pjesëmarrjen e interpretimin e këngëtarëve më të suksesshëm shqiptarë dhe me prezencën e artistëve të njohur nga bota si Nicola di Bari, F.R. David, Esma Rexhepova, grupi brazilian "Kaoma", Katerina Kouka, i Righeira, Gianni Nazzaro etj.
Në vitin 2012 vazhdon kontributin televiziv si një nga anetarët e Jurisë të shfaqjes së talenteve X-factor.